Ndërmarrja hekurudhore Infrakos Sh.A ka lëshuar një njoftim zyrtar lidhur me sigurinë në linjën hekurudhore Fushë Kosovë–Pejë. Reagimi vjen pas disa aksidenteve të raportuara në këtë segment, ku janë përfshirë trenat dhe automjetet.
Sipas njoftimit, në të gjitha vendkalimet e kësaj linje janë instaluar laura automatike, të cilat funksionojnë përmes një sistemi sensorësh për të mbrojtur pjesëmarrësit në trafik. Infrakos u ka kërkuar të gjithë drejtuesve të mjeteve, operatorëve të makinerive punuese dhe palëve të interesuara që të mos i afrohen trupit të binarit më pak se 3 metra. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm rastet kur puna kryhet me autorizim dhe në koordinim të plotë me autoritetet përgjegjëse.
Ndërmarrja theksoi se respektimi i kësaj distance është kusht i domosdoshëm për funksionimin e pandërprerë të sistemit automatik dhe garantimin e sigurisë rrugore e hekurudhore. Çdo shkelje e brezit të sigurisë do të vëzhgohet nëpërmjet sistemeve të kamerave. Në rast të identifikimit të shkelësve, Infrakos paralajmëron ndërmarrjen e veprimeve ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë raportimin e rasteve te organet kompetente.