Instituti GAP publikoi të mërkurën analizën me titull “A ndikoi rritja e pagave në përmirësimin e dinamikës së punës të Kuvendeve Komunale?”, ku vlerëson efektet e Ligjit për pagat në sektorin publik, të zbatuar nga viti 2023.
Ky ligj ndryshoi kompensimin financiar në administratën publike, veçanërisht për asambleistët komunalë. Para hyrjes në fuqi, ata merrnin 150 euro pagë bazë dhe 50 euro shtesë për çdo seancë, pa dallim mes komunave. Pas ligjit, në Prishtinë paga arrin 660 euro (koeficient 6), ndërsa në komunat e tjera varion nga 583 euro (koeficient 5.3) në 650 euro (koeficient 5.9).
Analiza pranon se rritja e pagave duhej të motivonte më shumë angazhim, pasi kompensimi i mëparshëm ishte i pamjaftueshëm dhe pengonte përqendrimin në detyrat institucionale. Megjithatë, gjetjet tregojnë rritje të kufizuar ose rënie në treguesit e performancës.
Në shtatë komuna:
- Numri i mbledhjeve: 81 në 2022, 91 në 2023, 85 në 2024;
- Rregullore: 26 në 2022, 35 në 2023, 10 në 2024;
- Vendime: 540 në 2022, 477 në 2023, 442 në 2024.
Kohëzgjatja e mbledhjeve ka rënë, ndërsa trendi i përgjithshëm i treguesve sasiorë nuk tregon rritje pas pagave më të larta. Instituti GAP thekson se këta indikatorë masin ritmin e punës, por jo cilësinë e debateve apo ndikimin e vendimeve.