Gjatë ditës së sotme, shërbimi zjarrfikës ka ndërhyrë për shuarjen e dy vatrave të zjarrit në qarqe të ndryshme të vendit. Në hyrje të fshatit Kllëz (i njohur edhe si Këllëz), në Njësinë Administrative Lunxhëri të Gjirokastrës, flakët përfshinë një sipërfaqe me shkurre dhe barishte. Ndërhyrja e menjëhershme e ekipeve zjarrfikëse bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit, duke shmangur përhapjen e tij në territorin përreth. Një grup i shërbimit zjarrfikës po qëndron në vendngjarje për monitorimin e zonës, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e ndonjë riaktivizimi të mundshëm. Nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri u shënua në lagjen 10 të qytetit të Korçës. Flakët, të cilat përfshinë gjithashtu një sipërfaqe me shkurre dhe barishte, u përballuan nga dy automjete zjarrfikëse të dërguara në vendngjarje. Sipas informacioneve paraprake, zjarri nuk ka rrezikuar banesat përreth dhe nuk ka shkaktuar të lënduar. Policia pritet të kryejë hetimet përkatëse për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të rënies së zjarrit në këtë zonë.