Irani ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për lundrim dhe nuk do të mbyllet. Këtë e konfirmoi zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane, Abolfazl Shekarchi, në një deklaratë të transmetuar nga agjencia Fars News Agency.
Sipas Shekarchi-së, Irani kontrollon ngushticën strategjike, por nuk ka ndërmend ta pengojë kalimin e anijeve. “Ne nuk e kemi mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe nuk do ta bëjmë këtë. Nuk do të ndalojmë asnjë anije që përpiqet ta kalojë atë”, u shpreh ai.
Ai theksoi se Irani nuk mban përgjegjësi për sigurinë e anijeve, ekuipazheve apo pajisjeve të tyre. “Deklarojmë hapur se Irani nuk mban asnjë përgjegjësi për sigurinë e anijeve, të ekuipazheve të tyre apo të pajisjeve të tyre”, shtoi zëdhënësi.
Shekarchi paralajmëroi se anijet e SHBA-së dhe Izraelit do të merren në shënjestër. “Do të marrim në shënjestër çdo anije që i përket SHBA-së dhe Izraelit, nëse përpiqet të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit”, deklaroi ai.
Deklarata vjen në kontekstin e një situate të tensionuar.