Autoritetet ushtarake iraniane kanë paralajmëruar Shtetet e Bashkuara për një përgjigje ushtarake nëse bllokada detare ndaj porteve iraniane vazhdon. Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror, Shefat e Shtabit të Përbashkët të forcave iraniane dënuan veprimet amerikane si "akte grabitjeje dhe piraterie". "Nëse forcat ushtarake amerikane vazhdojnë bllokadën, ato do të përballen me një përgjigje nga forcat e fuqishme të armatosura iraniane", thuhet në deklaratë.
Forcat iraniane theksuan se janë në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë lëvizjet e kundërshtarëve. Komanda qendrore e ushtrisë iraniane deklaroi se janë të vendosura për të kundërpërgjigjur.
Në planin diplomatik, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mbërriti në Islamabad për një vizitë zyrtare. Ai zhvilloi takime me shefin e ushtrisë pakistaneze, ministrin e Brendshëm dhe atë të Jashtëm. Gjatë bisedimeve, Araghchi përcjelli qëndrimet negociuese të Teheranit dhe shprehu rezerva të forta ndaj kërkesave të SHBA-së.
Irani ka shpalosur kërkesat dhe shqetësimet e tij para ndërmjetësve pakistanezë. Për këtë fundjavë nuk parashikohen bisedime të drejtpërdrejta mes Iranit dhe SHBA-së. Shtëpia e Bardhë njoftoi se të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner priten të mbërrijnë sot në Islamabad.