Kombëtarja e Irlandës realizoi një sërë gjestesh simbolike gjatë përballjes së Ligës së Kombeve kundër Izraelit, e cila u zhvillua në fushë neutrale në Debrecen të Hungarisë. Ndeshja, e cila përfundoi me fitoren 3-0 të irlandezëve, u shënua nga tensione të theksuara politike lidhur me situatën në Gaza.
Futbollistët irlandezë dolën në fushë me shirita të zinj në krahë, si shenjë përkujtimi për viktimat e luftës. Gjatë interpretimit të himnit kombëtar të Izraelit, lojtarët qëndruan me kokat ulur, ndërsa gjatë ceremonisë para ndeshjes, kapiteni irlandez Dara O’Shea refuzoi të shkëmbente flamujt apo të shtrëngonte duart me kapitenin izraelit, Manor Solomon. Gjesti i protestës kulmoi kur futbollisti Jack Moylan, pas shënimit të golit të tretë, hoqi shiritin e zi dhe e puthi përpara kamerave.
Vendimi për të zhvilluar ndeshjen erdhi pas një diskutimi të brendshëm në ekipin irlandez, pasi Federata kishte shqyrtuar mundësinë e bojkotit për shkak të qëndrimeve kritike ndaj qeverisë izraelite. Megjithatë, frika nga sanksionet e UEFA-s i detyroi ata të zbrisnin në fushë. Portieri Gavin Bazunu ishte futbollisti që refuzoi kategorikisht të merrte pjesë, duke qëndruar në hotel.
Reagimet pas ndeshjes
Reagimet nga pala izraelite ishin të ashpra. Portieri Daniel Peretz e cilësoi qëndrimin e irlandezëve si rezultat të "paditurisë", ndërsa kapiteni Manor Solomon deklaroi se është e qartë që ekziston një urrejtje e ndërsjellë. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, gjithashtu kritikoi qëndrimin e Irlandës, duke deklaruar se vendi ndodhet në anën e gabuar të historisë. Izraeli pritet të përballet me Kosovën në të njëjtin stadium të enjten në mbrëmje.