Isa Mustafa, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kryeministër i Kosovës, ka kërkuar bashkëpunim mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit. Këto komente i bëri më 8 prill 2026, pas promovimit të librit të tij “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me BE-në”, ku morën pjesë deputetë dhe zyrtarë të lartë të LDK-së.
Mustafa deklaroi se për të shmangur zgjedhjet e reja nevojitet një marrëveshje politike për një figurë konsensuale. “Nëse dëshirojmë të zgjedhim ose jemi të gatshëm si pozitë dhe opozitë ta bëjmë presidentin, atëherë duhet të ketë hapësirë për marrëveshje. Duhet të ulen pozita dhe opozita dhe të merren vesh bashkërisht për një personalitet i cili do ta kryente këtë punë pa anë politike. Ka të tillë plot, por problemi është a jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bëjmë një zgjidhje”, theksoi ai.
Sipas Mustafës, partitë parlamentare mund ta zgjedhin presidentin pa nevojë për zgjedhje të reja, pasi nuk parashikon ndryshime të mëdha. “Mendoj se po, nëse ka dëshirë. Nëse partitë politike mendojnë se ka interes të hyjnë edhe një herë në zgjedhje, atëherë do të hyjmë në zgjedhje. Nuk shoh ndryshime të mëdha, por s’mund të flas tash për disponimin politik të partive politike”, u shpreh ai.
Sa i përket mundësisë për rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK, Mustafa u shpreh i rezervuar. “Unë do t’iu kërkoja falje sepse sot është krejt një temë tjetër dhe nuk do të dëshiroja që këtë çështje që e kemi hapur sot në akademi ta ndërlidh me emra konkretë, kush synon dhe çka bën në të ardhmen. Unë po shoh se po insistoni, por unë për vete nuk do të jap deklaratë për Vjosën”, deklaroi ai.