Wolfgang Ischinger, kryetari i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, në fjalën e tij përmbyllëse të takimit tre-ditor të mbajtur të dielën më 15 shkurt 2026, u bëri thirrje udhëheqësve evropianë të kalojnë nga retorika në veprime konkrete në fushën e mbrojtjes.
Ai vlerësoi përparimet e Evropës në mbrojtje dhe gatishmërinë e vendeve për të mbajtur një pjesë më të madhe të barrës së sigurisë. Megjithatë, theksoi se fjalimet nuk mjaftonin dhe se nevoja ishte për një plan të qartë dhe veprim të menjëhershëm.
Ischinger i nxiti anëtarët e Bashkimit Evropian të rrisin prodhimin e mjetëve të mbrojtjes dhe të sqarojnë mekanizmat e sigurisë kolektive. Bisedimet në konferencë nxorën në pah përçarje të thella mbi rendin ndërkombëtar, me dyshime nëse vendet perëndimore ndajnë ende të njëjtat vlera dhe rregulla.
Duke iu referuar Raportit të Sigurisë së Mynihut, ai tha se sistemi ndërkombëtar ndodhet nën shkatërrim. Disa udhëheqës e konsiderojnë atë të pandreqshëm, ndërsa të tjerë propozojnë ripërtëritje ose restaurim. "Kjo tregon spektrin e pikëpamjeve, qoftë për riparim, apo rindërtim nga e para", u shpreh ai.
Në lidhje me Ukrainën, Ischinger bëri thirrje për furnizim me më shumë armë, veçanërisht sisteme mbrojtjeje ajrore, dhe koordinim të sanksioneve më të ashpra ndaj Rusias. "Pyetja se si do të përfundojë kjo luftë është ekzistenciale për Evropën dhe do të përcaktojë të ardhmen e kontinentit", deklaroi ai.
Përditësime
Wolfgang Ischinger deklaroi: "Shpresoj shumë që ne, si aleatë dhe partnerë, të jemi të bashkuar dhe të vendosur të veprojmë së bashku për t'u siguruar që Ukraina mund dhe do të triumfojë."