Joseph Strange, 48 vjeç, ish-punonjës i reperit Eminem, pranoi fajësinë më 22 tetor për shkeljen e të drejtave të autorit, pasi kopjoi dhe shiti pa leje këngë të papublikuara të artistit. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ai përfitoi rreth 50 mijë dollarë nga shitja e të paktën 10 skedarëve muzikorë.
Strange punoi në studion e Eminem në Michigan nga viti 2007 deri rreth vitit 2021. Detyrat e tij përfshinin instalimin dhe administrimin e sistemit kompjuterik ku ruhej muzika e reperit. Pozicioni i mundësonte qasje në disqe të forta të mbrojtura me fjalëkalim, ku gjendeshin materiale në faza të ndryshme të krijimit dhe prodhimit, të cilat nuk ishin parashikuar për publikim.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, Strange kopjoi pa autorizim të paktën dhjetë skedarë audio. Nga korriku deri në gusht të vitit 2024, ai i shiti dhe i shpërndau në internet pa dijeninë ose miratimin e Eminem. Materialet përfunduan në platformat publike të transmetimit muzikor. Sipas të dhënave të mbledhura nga autoritetet, deri në nëntor të vitit 2025 ato ishin dëgjuar ose aksesuar më shumë se 8 milionë herë. Dëmi nga shkelja e të drejtave të autorit vlerësohet në të paktën 750 mijë dollarë.
Punonjësit e studios iu drejtuan FBI-së në janar të vitit 2025, pasi zbuluan se këngë të papublikuara ishin shfaqur në internet. Hetimi përcaktoi se Strange ishte një nga katër punonjësit me qasje në disqet ku ruheshin materialet. Gjatë kontrollit në banesën e tij, agjentët gjetën disqe me kopje të muzikës së papublikuar, si dhe shënime të shkruara me dorë dhe tekste këngësh të Eminem. Autoritetet siguruan gjithashtu të dhëna financiare që dyshohet se dokumentonin pagesat për materialet e shitura. Sipas Syri TV, FBI-ja kontaktoi disa blerës, të cilët thanë se e kishin blerë muzikën nga Strange.
Çështja u bë publike në mars të vitit 2025, kur ndaj Strange u ngritën akuza për shkelje të të drejtave të autorit dhe trafikim të materialeve të vjedhura. Dënimi pritet të shpallet më 27 janar 2027. Ai përballet me një dënim maksimal prej pesë vitesh burg për veprën për të cilën pranoi fajësinë.
Përfaqësues të Eminem kanë thënë se rrjedhja e materialeve dëmtoi trashëgiminë artistike dhe interesat financiare të reperit dhe bashkëpunëtorëve të tij. TV Klan citon përfaqësuesin e reperit të ketë thënë se humbjet financiare prekën edhe krijuesit dhe bashkëpunëtorët. Drejtuesja e zyrës së FBI-së në Detroit, Jennifer Runyan, tha se askush nuk ka të drejtë të përfitojë nga puna e një artisti pa lejen e tij.