Uran Ismaili, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kritikoi kryeministrin Albin Kurti në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës për kursimet e deklaruara prej 16 euro e 41 cent në formularin e pasurisë.
Ismaili tha se kjo shifër përbën "hile e një njeriu që jeton pa ndonjë kokëçarje financiare" dhe sillet sikur jeton në varfëri.
"16 euro e 41 cent e kursimeve të kryeministrit nuk është një shifër që ngjall pasigurinë për të, që ngjall ndjenjën e solidaritetit që të bën të bashkëndjesh apo që gjeneron keqardhje", deklaroi ai.
Ai vlerësoi se në këtë shifër ka "arrogancë", e cila e shtyu të flasë.
"Manipulimi është një karakteristikë e rrezikshme dhe e dëmshme e secilit udhëheqës dhe 16 euro e 41 cent është moment klasik i manipulimit të varfërisë nga një njeri që nuk jeton në varfëri, por sillet si i tillë", shtoi Ismaili.
Deputeti nënvizoi se kryeministri nuk ka kokëçarje të varfërisë.
Ai krahasoi situatën me familjarët që blejnë me kontrabandë barna për kancer për shkak të mungesave, të cilët nuk kanë para në portofol.
"Një kryeministër si ti nuk mund të barazohet me një babanë që në mes të muajit futet në shtëpinë e tij e sheh familjen e tij dhe mbi supet e tij qëndron një barrë", tha Ismaili.