Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike në Kosovë, duke kritikuar vonesat në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve. Përmes një postimi, ai ka vlerësuar se vendi po mbahet peng për shkak të përplasjeve politike dhe mungesës së vullnetit për kompromis.
Sipas Kurteshit, vendi nuk mund të udhëhiqet nëpërmjet bllokimeve apo tentativave për të mposhtur njëri-tjetrin. Ai theksoi se ata që kanë marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur, kanë obligim ligjor dhe moral të punojnë për ndërtimin e institucioneve stabile. Në qëndrimin e tij, ai vërejti se mungesa e një marrëveshjeje nuk vjen nga mungesa e dashurisë për vendin, por nga mbizotërimi i inateve dhe lakmisë personale të liderëve politikë.
Nevoja për dialog dhe kompromis
Për të tejkaluar këtë situatë, Ismajl Kurteshi kërkoi një qasje konstruktive nga të gjitha palët. Ai shprehu mbështetjen për idenë e dialogut të drejtpërdrejtë, duke cituar një thirrje të ish-ministrit Armend Mehaj, i cili pati sugjeruar se palët duhet të ulen në një tryezë për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të gjetur një rrugë të përbashkët.
Duke ilustruar nevojën për bashkëpunim, Kurteshi rikujtoi shprehjen popullore: "Shtëpia me inati nuk mbahet, se e kojtmja të korit, besa edhe të fikë". Ai u bëri thirrje politikanëve të vënë interesat e Kosovës mbi ambiciet e tyre, duke paralajmëruar se ata që nuk arrijnë të bëhen bashkë për hir të vendit, nuk e kanë vendin në parinë e Kosovës.