Daniele Sartini, 29-vjeçari italian i dyshuar për vrasjen e shqiptarit Denaldo Maxhalaku, ka pranuar para hetuesve se e qëlloi për vdekje. Maxhalaku, 31 vjeç, u gjet i fshehur në një pus pranë banesës së Sartinit. Ky i fundit ndodhet në burg që prej 28 tetorit, ditën kur u zbulua trupi.
Sartini ka thënë se është penduar dhe se ngjarja ndodhi shumë shpejt. Sipas deklarimit të tij, ai kishte frikë për veten dhe familjen dhe ishte ndier i kërcënuar. Ai pretendon se Maxhalaku e kapi nga fyti, pasi nuk kishte paratë e kokainës për t’ia kthyer, dhe se më pas hyri në shtëpi e mori armën. Sipas versionit të të dyshuarit, konflikti lidhej me një borxh prej 1 500 eurosh. Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe motivet.
Të dhënat telefonike treguan se dy burrat kishin komunikuar pak para ngjarjes dhe kishin lënë takim në mbrëmjen e 7 tetorit, në banesën e Sartinit. Telefoni i të dyshuarit u lokalizua gjithashtu në zonën ku u dogj automjeti i viktimës, rreth katër kilometra larg vendit të vrasjes.
Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, pas një debati Sartini dyshohet se mori një pistoletë të tipit Glock, të kalibrit 40, dhe qëlloi tri herë në gjoks ndaj Maxhalakut, i cili vdiq në vend. Më pas, dyshohet se e transportoi trupin me automjet dhe e fshehu në një pus artezian përpara banesës së tij. Sipas hetimeve, më pas i vuri flakën makinës së viktimës, në përpjekje për të zhdukur gjurmët.
Jeta e Maxhalakut në Itali
Maxhalaku punonte si bojaxhi dhe prej tre vitesh jetonte në Gatteo me bashkëshorten e tij shqiptare, 20 vjeçe, dhe vajzën e tyre, të lindur në gusht të vitit 2025. Bashkëshortja e përshkroi si bashkëshort të përkushtuar, baba të dashur dhe punëtor të palodhur. Ajo tha se vajza do të rritet pa të atin.
Sipas të dhënave të publikuara, Sartini ishte i papunë prej rreth një muaji në kohën e ngjarjes. Trupi i Maxhalakut po i nënshtrohet autopsisë. Pas përfundimit të saj, Prokuroria pritet të autorizojë varrimin dhe t’ia vërë trupin në dispozicion familjes.