Sipas gazetës britanike The Guardian, Izraeli nuk po lejon nisjen e ndërtimit të një baze ushtarake në Gaza, ku do të vendoseshin përkohësisht trupa ndërkombëtare, përfshirë ushtarë nga Kosova dhe Maroku. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se nuk ka informacion që Izraeli po pengon ndërtimin, por se ka informacione për përgatitjet që po bëjnë njësitë e Kosovës bashkë me ShBA-në për vendosje. Plani është pjesë e përpjekjes së Bordit të Paqes, të drejtuar nga presidenti amerikan Donald Trump, për të vendosur një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza.
Baza e planifikuar do të shërbente për vendosjen e përkohshme të 150 ushtarëve ndërkombëtarë, si pjesë e një force më të gjerë prej 500 trupash nga Kosova dhe Maroku. Sipas raportimit të The Guardian, trupat janë dërguar tashmë në kuadër të këtij angazhimi.
Kontrata për ndërtimin e bazës iu dha në gusht kompanisë amerikane Arkel International, me seli në Luiziana. Dy muaj më vonë, punimet ende nuk kishin nisur, pasi kontraktorët dhe kamionët e nevojshëm për projektin nuk lejoheshin të hynin në Gaza. Një person me njohuri të drejtpërdrejta për çështjen i tha The Guardian se projekti nuk mund të vazhdojë pa lejen e Izraelit.
Baza e përkohshme parashikohet të ndërtohet në një hapësirë të fortifikuar prej rreth 100 me 100 metrash, në një vend që më parë ishte përdorur nga Fondacioni Humanitar i Gazës. Maqedonci tha gjithashtu se personeli i FSK-së është ndër më të vlerësuarit nga komanda e ShBA-së në Lindjen e Mesme dhe se është ftuar të jetë pjesë e vendimmarrjes.
Përditësime
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci tha se nuk ka informacion për pengesa izraelite dhe se njësitë e Kosovës po përgatiten për vendosje me ShBA-në.