Gjatë natës, Izraeli dhe Irani kanë shkëmbyer sulme të ndërsjella. Teherani lëshoi raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, ndërsa Izraeli filloi një valë të re sulmesh kundër milicisë Hezbollah, të mbështetur nga Irani, në Liban.
Izraeli
Ushtria izraelite njoftoi se identifikoi raketa të lëshuara nga Irani dhe sistemet e saj mbrojtëse vepruan për t'i kapur ato. Në një postim në Telegram, ajo u bëri thirrje qytetarëve "të veprojnë me përgjegjësi dhe të ndjekin udhëzimet", duke shtuar se "ato shpëtojnë jetë". Qytetarët u udhëzuan të hyjnë në hapësira të mbrojtura dhe të qëndrojnë atje deri në njoftim të mëtejshëm.
Libani
Ushtria izraelite njoftoi se kishte filluar sulme kundër objektivave të Hezbollah-ut në Bejrut, kryeqytetin libanez. Re të mëdha tymi u panë në periferitë jugore të qytetit, të njohura si bastion i Hezbollah-ut.
Kuvajti
Ushtria e Kuvajtit tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin kapur raketa nga Irani për herë të dytë që nga mesnata. Shtatë linja energjie elektrike ishin nxjerrë jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve nga mbeturinat e raketave, njoftoi ministria e energjisë elektrike.
Bahrejni
Sirena alarmi u dëgjuan disa herë në Bahrein vonë natën dhe deri në orët e para të mëngjesit. Ministria e Brendshme u bëri thirrje qytetarëve "të qëndrojnë të qetë dhe të shkojnë në vendin më të afërt të sigurt".
Arabia Saudite
Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite njoftoi se kishte kapur dhe shkatërruar disa dronë gjatë natës.