Futbollistët shqiptarë Jasir Asani dhe Regi Lushkja, të aktivizuar në kampionatin iranian, kanë lënë vendin pas bombardimeve të SHBA-së dhe Izraelit në Teheran. Aktivitetet sportive në Iran u pezulluan dhe lojtarët e huaj u detyruan të largohen për arsye sigurie.
Jasir Asani, lojtar i Esteghlal FC, ka arritur në Turqi, ku është i sigurt. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkroi: «Klubi bëri gjithçka që unë të largohem, por pavarësisht kësaj situate të vështirë, shpresoj që gjërat të qetësohen dhe paqja të rikthehet. Lutem sinqerisht që gjithçka të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur, sepse një vend si Irani me njerëz kaq të mirë që më kanë treguar dashuri dhe respekt meriton të jetojë në paqe».
Regi Lushkja ka lënë gjithashtu Iranin dhe ndodhet në një vend të sigurt. Kthimi i tyre në kampionatin iranian varet nga rrjedha e ngjarjeve në Iran dhe Lindjen e Mesme.
Zhvillimet në futbollin iranian
FIFA po ndjek situatën dhe mund të lejojë lojtarët e kampionatit iranian të ndryshojnë ekip në këtë fazë të sezonit. Asani kishte kaluar në Iran verën e vitit të shkuar nga Koreja e Jugut. Aktivitetet sportive në Gjirin Persik janë ndalur për shkak të konfliktit rajonal.
Irani ka siguruar biletën për Kupën e Botës 2026, që zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanadë, por ende nuk ka vendim për pjesëmarrjen.