Ish-këshilltari i Wesley Clark gjatë kohës së luftës në Kosovë, britaniku John Duncan, ka shprehur shqetësimin mbi zhvillimet e fundit në Kosovë pas aktgjykimit të nxjerrë nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një reagim në platformën X, Duncan, i cili ka dëshmuar në kuadër të ekipit të mbrojtjes në Hagë, vlerësoi se pakënaqësia qytetare ndaj vendimeve gjyqësore është përshkallëzuar. Ai theksoi se protestat në Prishtinë kanë zgjatur për 6 ditë, duke reflektuar tensionet e rritura në vend.
Krahas protestave, Duncan vërejti se situata ka ndikuar në rikthimin e thirrjeve publike për bashkimin e shqiptarëve. Ai e cilësoi situatën si një rast, pasojat e të cilit po marrin përmasa gjithnjë e më serioze për shkak të ndjeshmërisë së lartë në opinionin publik.