Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), Jonid Jorgji, është përzgjedhur zyrtarisht si anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit (European Film Academy - EFA). Lajmi u bë i ditur nga QKK, e cila e vlerëson këtë anëtarësim si njohje të kontributit dhe vizionit të Jorgjit në zhvillimin e sektorit audiovizual shqiptar.
Sipas institucionit, ky anëtarësim krijon një urë të re komunikimi, e cila pritet të rrisë jehonën e projekteve kinematografike shqiptare në Evropë. Hapi ndërlidhet me angazhimin për reformimin e filmit në vend dhe përpjekjet për ta pozicionuar Shqipërinë si një destinacion të rëndësishëm për prodhimet ndërkombëtare.
Rreth Akademisë Evropiane të Filmit
Akademia Evropiane e Filmit, e themeluar në vitin 1989, është një ndër organizatat më të rëndësishme në këtë fushë. Ajo mbështet kinemanë përmes disa shtyllave kryesore:
- Bashkon mbi 5,700 profesionistë evropianë të filmit.
- Organizon Çmimet Evropiane të Filmit, të njohura si “Oscar-i” i Evropës.
- Promovon edukimin e audiencës dhe ruajtjen e trashëgimisë filmike.