Situata e sulmuesit Julian Alvarez te Atletico Madrid është përshkallëzuar ndjeshëm, pasi futbollisti nuk është paraqitur në stërvitje për të tretën ditë radhazi. Sipas raportimeve të radios spanjolle COPE, lojtari ka dorëzuar një raport mjekësor që dëshmon një gjendje depresive. Ky zhvillim vjen në një periudhë tensioni të lartë pas kontestimeve nga tifozët në ndeshjen kundër Villarrealit.
E ardhmja e futbollistit mbetet subjekt i një përplasjeje të hapur në tregun e transferimeve. Barcelona synon afrimin e tij, ndërsa Atletico Madrid ka mbajtur një qëndrim të prerë kundër kësaj lëvizjeje. Drejtori ekzekutiv i klubit madrilen, Miguel Angel Gil Marin, shprehu keqardhje për situatën, duke theksuar se lojtari po kalon një fazë shumë të vështirë në aspektin personal dhe profesional. Klubi ka bërë të ditur se mundësia e transferimit te katalanasit është "0%", duke sugjeruar se në garë për shërbimet e tij mund të jetë edhe Arsenali.
Trajneri Diego Simeone konfirmoi se Alvarez nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës ndaj Sevillias. Në konferencën për shtyp, Simeone deklaroi se do të bëjë çmos për ta mbështetur lojtarin dhe për ta rikthyer atë në skuadër kur të jetë në gjendje. Ndërkohë, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar interesimin publik për futbollistin, ndërsa kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbylljen e merkatos së verës.
Përditësime
Sulmuesi Julian Alvarez ka refuzuar zyrtarisht mundësinë e transferimit te Arsenali, pavarësisht marrëveshjes së arritur paraprakisht mes dy klubeve. Gjatë përballjes me drejtuesit e Atletico Madridit, argjentinasi pësoi një krizë nervore dhe atak paniku. Lojtari deklaroi se preferon pensionimin e parakohshëm përpara se të pranojë atë që e cilësoi si shantazh nga klubi. Alvarez ka ndërprerë përfundimisht komunikimin dhe është shprehur kategorikisht se nuk do ta veshë më fanellën madrilene.
Gazetari David Ornstein konfirmoi se Julian Alvarez ka zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë me trajnerin e Arsenalit, Mikel Arteta, për të refuzuar transferimin në Londër. Pavarësisht ofertës së gatshme nga ana e klubit anglez, që kapte vlerën mbi 120 milionë euro, sulmuesi argjentinas ka bërë të qartë se nuk dëshiron t'i bashkohet skuadrës së Premier League.