Kadri Kryeziu, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, ka deklaruar se vendimi i fundit i kësaj gjykate për dekretin e presidentes Vjosa Osmani është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjitha institucionet shtetërore.
Deklaratat e Kryeziut vijnë pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka shpallur pa efekt juridik dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, të nxjerrë më 6 mars.
Sipas Kryeziut, pavarësisht debateve publike, karakteri juridik i vendimit nuk vihet në diskutim. Ai ka thënë: «Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i zbatueshëm dhe duhet të pranohet. Për shkak të se Gjykata Kushtetuese është institucion final, që bën interpretimin e Kushtetutës dhe është institucion shtetëror. Interpretimin e Kushtetutës mund ta bëjmë edhe ne profesorët, politologët e gazetarët, por interpretimi vendimmarrës është interpretimi shtetëror, të cilin e bën një organ i centralizuar, te ne quhet Gjykata Kushtetuese. Ky vendim duhet të pranohet nga organet shtetërore. Por debatet mund të vazhdojnë rreth vendimit».
Vendimi parashikon se deputetët kanë në dispozicion 34 ditë për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse kjo nuk realizohet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet automatikisht në bazë të Kushtetutës dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar gjithashtu se procedura për zgjedhjen e presidentit nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.