Kaja Kallas, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, tha të hënën se nuk sheh pothuajse asnjë shenjë të gatishmërisë së Rusisë për të negociuar një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë. Ajo foli në një intervistë për agjencinë Reuters në Paris, në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të G7-s.
Kallas tha se Moska ka nënshkruar më parë disa marrëveshje që synonin garantimin e sigurisë në Evropë, por nuk i ka respektuar ato. Ajo theksoi se çdo diskutim për të ardhmen e sigurisë evropiane duhet të zhvillohet nën drejtimin e BE-së dhe në përputhje me traktatet dhe mekanizmat e tij institucionalë. Sipas saj, diskutimet nuk duhet të zhvillohen përmes formateve të improvizuara ose marrëveshjeve të veçanta mes shteteve.
“Është e qartë se vendet e mëdha duan të bisedojnë edhe me vende të tjera të mëdha”, u shpreh Kallas, duke iu referuar interesit të fuqive të mëdha për të zhvilluar negociata mes tyre. Ajo shtoi se çështjet që lidhen me sigurinë e kontinentit nuk mund të trajtohen jashtë mekanizmave të përcaktuar të BE-së.
“Kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë evropiane, Bashkimi Evropian ka linja shumë të qarta. Ne kemi traktatet tona”, deklaroi Kallas.
Kërcënimet e rreme me bomba
Kallas foli gjithashtu për një valë kërcënimesh të rreme për vendosjen e bombave në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Ajo tha se pret që disa shtete anëtare të ndajnë në ditët në vijim informacionet dhe dyshimet e tyre lidhur me këto incidente.