Avokati Gent Gjini ka dorëzuar zyrtarisht një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër ministres së Administratës Shtetërore të Serbisë, Snezana Paunoviq. Ky veprim ligjor vjen si reagim ndaj deklaratave të saj në një medium serb, ku ajo pretendoi se nëse do të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit gjatë vitit 1999, do të kishte kryer spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Sipas avokatit Gjini, këto deklarata përbëjnë cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë juridike të Republikës së Kosovës. Ai theksoi se pozita e saj në qeverinë aktuale të Serbisë dhe retorika e përdorur paraqesin rrezik për popullatën dhe misionet paqeruajtëse, si NATO dhe OKB.
Nëpërmjet këtij kallëzimi, kërkohet përfshirja e INTERPOL-it për lëshimin e një fletarresti ndërkombëtar. Avokati Gjini vlerësoi se shpallja e saj si person i padëshiruar (non grata) nga autoritetet e Kosovës është e pamjaftueshme dhe kërkoi presion më të madh diplomatik. Përveç Prokurorisë Speciale, kopje të kallëzimit penal do t’u dorëzohen edhe ambasadave të shteteve të huaja në Kosovë dhe përfaqësive të organizatave ndërkombëtare.