Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në orët e para të ditës së shtunë në qytetin Cúcuta, pranë kufirit me Venezuelën. Një kamion i ngarkuar me lëndë shpërthyese, ku sipas autoriteteve ishin vendosur rreth 15 pajisje shpërthyese artizanale, u detonua përpara një baze policore që shërben si seli për provincën e Norte de Santander. Nga shpërthimi mbetën të plagosur 11 efektivë policie dhe tre civilë, ndërsa dy prej oficerëve ndodhen në gjendje kritike për jetën. Gjithashtu, nga shpërthimi ngordhi edhe një qen policie.
Qeveria kolumbiane ka drejtuar gishtin nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare (ELN), duke e cilësuar këtë grup si organizatorin e sulmit. Ministri i Mbrojtjes, Pedro Sanchez, i ka quajtur autorët “narkoterroristë” dhe ka njoftuar vendosjen e një shpërblimi për informacione që çojnë në arrestimin e tyre. Burimet zyrtare raportojnë shifra të shpërblimit që variojnë nga 32 mijë dollarë deri në 64 mijë dollarë.
Sulmi ndodh në një periudhë tejet të tensionuar politike, pak ditë përpara se Abelardo de la Espriella të marrë detyrën si presidenti i ri i Kolumbisë më 7 gusht. Ceremonia e inaugurimit është zhvendosur nga kryeqyteti Bogota në qytetin Cali, për shkak të shqetësimeve për sigurinë, ku pritet angazhimi i 11 mijë ushtarëve dhe policëve. Presidenti i zgjedhur është zotuar se nuk do të ndalet në luftën ndaj grupeve të armatosura dhe organizatave të trafikut të drogës, duke shprehur qëllimin për t'i dhënë fund procesit të negociatave të paqes të nisura nga administrata në largim e Gustavo Petros.
Ngjarja është dënuar ashpër nga Kombet e Bashkuara, të cilat theksuan se sulmi ka mbjellë frikë te popullsia lokale. ELN, një grup me rreth 6,000 luftëtarë, ka qenë pjesë e një historie të gjatë konflikti dhe bisedimet me të ishin pezulluar që në janar të vitit 2025, pas një ofensive të përgjakshme në verilindje të vendit.