Kancelari gjerman Friedrich Merz mbajti një deklaratë qeveritare në Bundestag më 29 janar 2026, ku vlerësoi situatën e politikës botërore si serioze dhe të vështirë, por me shanse për Gjermaninë dhe Europën.
Ai tha se po fryn një erë e ashpër në botë, e cila gjithnjë e më shumë karakterizohet nga fuqitë e mëdha. Prandaj, Europa duhet të tregojë forcë dhe më shumë vetëdije në politikën e pushtetit. Europianët mund të realizojnë synimet e tyre vetëm duke mësuar vetë "gjuhën e politikës së pushtetit". Europa është zonë e fuqishme ekonomike, vend i vlerave dhe rendit, që duhet ruajtur dhe zgjeruar. Sipas Merz-it, politikani kristiandemokrat, Europa forcohet nën presion.
Europa paraqet alternativë normative ndaj imperializmit dhe autokracisë.
Detyrat për Europën
Sipas kancelarit, Europa duhet të dëshmojë veten në tre fusha kryesore:
- Sigurinë dhe uljen e varësisë në teknologji dhe mbrojtje, veçanërisht nga SHBA-ja dhe mburoja e saj nukleare.
- Ekonominë e aftë për konkurrencë.
- Prezantimin e bashkuar.
Shembull pozitiv nga grindja për Groenlandën
Si shembull, Merz përmendi konfliktin për Groenlandën. Presidenti i SHBA-së Donald Trump kërkoi përsëritur aneksimin e saj dhe kërcënoi vende europiane aleate në NATO, përfshirë Gjermaninë, me tarifa të larta doganore. Megjithatë, ai u tërhoq pasi europianët bënë të qartë se nuk do ta pranonin një hap të tillë. Kështu, Europa ndjeu "respektin ndaj vetes".
Përditësime
Kancelari Merz nënvizoi se kjo vetëdije e re europiane duhet të shfrytëzohet më tej. Ai përmendi samitin e posaçëm të BE-së në shkurt, ku do të diskutohet rritja e konkurrueshmërisë së BE-së.