Performanca e reperit Kanye West në Stamboll mbrëmjen e së shtunës ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pasi numri i pjesëmarrësve raportohet të jetë 118,000 persona. Organizatorët e kanë cilësuar këtë si koncertin më të ndjekur në një stadium në histori. Skena, e ndërtuar në formën e planetit Tokë, u shoqërua me shfaqje lazerësh dhe sete muzikore, ku mori pjesë edhe reperi Travis Scott.
Fluksi i lartë i vizitorëve, të cilët mbërritën nga vende të ndryshme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Polonia, Rusia dhe Kazakistani, shkaktoi ngarkesë në sistemin e transportit publik dhe trafik të rënduar në qytet. Për të menaxhuar fluksin, portat e stadiumit u hapën që në orën 15:00.
Ky koncert shënon nisjen e turneut të ri evropian të West, i pari pas një pauze prej 11 vitesh. Pavarësisht suksesit në Stamboll, turneu ka hasur vështirësi në vende të tjera evropiane, ku autoritetet kanë anuluar disa shfaqje për shkak të shqetësimeve mbi rendin dhe sigurinë publike.
Ndërkohë, në Shqipëri, vëmendja është zhvendosur te koncerti i parashikuar për më 11 korrik. Në Kashar, pranë autostradës Tiranë-Durrës, po vazhdojnë punimet për ndërtimin e Eagle Stadium, një strukturë provizore me kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh, e cila synon të presë një prej eventeve muzikore më të mëdha në vend.
Përditësime
Koncerti i Kanye West në Stamboll nisi në orën 21:00, duke shënuar një pjesëmarrje rekord. Eventi, i organizuar në formatin e një festivali gjithë-nator, përfshiu performanca nga artistë vendas. Pas përfundimit, rrjetet sociale u mbushën me materiale vizuale nga aktiviteti.