Ervin Karamuço, ekspert i kriminalistikës, foli në emisionin "Now" me Erla Mëhillin në Euronews Albania, me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Ai ngriti shqetësime për tentativa destabilizimi dhe ndërhyrje të huaja në zhvillimet e Kosovës dhe në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Karamuço u ndal te ndalimi i një shtetasi rus dhe dy shtetasve bjellorusë në Drenicë. Sipas tij, ata u ndaluan për arsye parandaluese, ndërsa detajet për qëllimin e qëndrimit të tyre mbahen sekret nga autoritetet. "Së fundi kapëm një rus dhe dy bjellorus në Drenicë. Dy bjellorus që çfarë bënin atje ende nuk dihet, mbahet sekret për çfarë ishin aty dhe çfarë kërkonin", tha ai.
Ai pretendoi se rusët kanë infiltruar një agjent në ambientet e Gjykatës Speciale në Hagë, ku u maskua si punonjës i rekrutuar me diplomë. Qëllimi ka qenë mbledhja e informacionit mbi procesin gjyqësor, që nga hetimi deri në gjykim, për ta dërguar në kohë reale në kancelaritë e Moskës dhe Beogradit.
Sipas Karamuços, agjenti u zbulua dhe u arrestua falë angazhimit të disa vendeve dhe shërbimeve hollandeze.