Kastrati Group dhe Save the Children in Albania nënshkruan më 19 shkurt 2026 një Memorandum Bashkëpunimi njëvjeçar që synon forcimin e mbrojtjes së fëmijëve në nevojë dhe promovimin e përfshirjes sociale në Shqipëri.
Partneriteti zbatohet gjatë periudhës 19 shkurt 2026 – 19 shkurt 2027 dhe përfshin nisma të përbashkëta në fushat e mbrojtjes së fëmijëve, edukimit, mjedisit, ndërgjegjësimit publik dhe përfshirjes sociale. Aktivisht do të marrin pjesë kompani kryesore të grupit, si Aeroporti Ndërkombëtar "Nënë Tereza" dhe kompania e sigurimeve ALBSIG.
Ornela Bego, përfaqësuese e Kastrati Group, deklaroi: "Për Kastrati Group, zhvillimi i qëndrueshëm nuk matet vetëm me sukses ekonomik, por edhe me ndikimin pozitiv që ne arrijmë të kemi tek komunitetet ku operojmë. Fëmijët janë e ardhmja e këtij vendi dhe mbrojtja e të drejtave të tyre është një detyrim moral dhe shoqëror për të gjithë ne. Ky partneritet me Save the Children është një hap konkret drejt këtij qëllimi."
Anila Meço, përfaqësuese e Save the Children në Shqipëri, theksoi: "Partneriteti me sektorin privat është thelbësor për të arritur ndryshime të qëndrueshme në jetën e fëmijëve. Bashkëpunimi me Kastrati Group na jep mundësinë të zgjerojmë ndikimin tonë dhe të ofrojmë më shumë mbështetje për fëmijët më në nevojë në Shqipëri, duke i ofruar atyre mundësinë për një jetë më të mirë."
Gjatë këtij viti, palët do të organizojnë fushata publike për të drejtat e fëmijëve, programe arsimore në komunitete vulnerabël si dhe projekte për fëmijët me nevoja të veçanta. Ky angazhim synon ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse për çdo fëmijë.