Në seancën gjyqore të së mërkurës, 22 prillit 2026, në Greqi u zhvillua gjykimi ndaj Kastriot Cenko, shqiptar 39-vjeçar ndërtues, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes Alba Cenko me çekiç dhe fshehjen e trupit të saj për një javë në papafingon e banesë në Ampelokipi.
Ngjarja ndodhi më 29 nëntor 2024. Pas krimit, Cenko pranoi para policisë se e vrau gruan nga xhelozia, pasi dëgjoi një telefonatë që ajo bëri me shokun e tij më të mirë në tualet. Ai e goditi disa herë me grushta dhe çekiç, ndërsa fëmijët ishin në shkollë. Më pas, përdori celularin e viktimës për të mashtruar fëmijët dhe familjarët, duke pretenduar se ajo kishte marrë valixhen dhe ishte larguar për në Shqipëri.
Gjatë seancës, Cenko mohoi akuzën. "E mohoj akuzën ashtu siç është. Isha në gjendje të tërbuar, nuk isha në një gjendje të qetë mendore siç thotë aktakuza, nuk kishte paramendim. Gjithçka ndodhi papritur", deklaroi ai. Ai shtoi: "Dua t’u kërkoj falje të thellë fëmijëve të mi që i ndava nga nëna e tyre dhe një falje të thellë familjes së saj".
Nëna e Alba Cenko-s dëshmoi se vajza e saj kryente tre punë, sepse burri nuk sillte para në shtëpi. Ajo tregoi se Cenko e kishte telefonuar duke imituar shqetësimin dhe kishte thënë se gruaja ishte larguar. "E pyeta nipin tim ‘ku është nëna jote’ dhe ai më tha ‘Nuk e di’. Vajza ime më thoshte se ishte e trishtuar dhe nuk po kalonte mirë në shtëpi, por jo se kishte ndërmend të braktiste burrin dhe fëmijët. Nuk dua që t’i bëjnë asgjë, dua që ai të ma kthejë vajzën. A mundet?", tha nëna me lot në sy.
Seanca e radhës e gjyqit mbahet muajin tjetër.