Katër shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Angli për përfshirje në vjedhje banesash në Londër, ku u shënjestruan kryesisht familje nga komuniteti i Azisë Jugore. Hetimet e Policisë Metropolitane lidhën Çlirim Ferizin, 26 vjeç, dhe Oresti Saliajn, 40 vjeç, me disa raste përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, provave forenzike, të dhënave telefonike dhe regjistrave të udhëtimeve me kartat Oyster.
Ferizi u dënua me dy vjet burg më 20 gusht, në Gjykatën Mbretërore të Isleworth. Saliaj ishte dënuar më herët, më 22 prill, me tre vjet e gjashtë muaj burg në të njëjtën gjykatë. Sipas burimeve, sendet e vjedhura kishin vlerë mbi 8 mijë paund dhe përfshinin një orë Rolex me vlerë 7 mijë paund, vathë floriri me vlerë 1,500 paund dhe një unazë antike me vlerë 1,200 paund.
Hetimi nisi pas një vjedhjeje në Ruislip, në shkurt. Më 30 janar, Saliaj dhe një person i panjohur hynë me forcë në një banesë në Oakleigh Park North, në Barnet, dhe morën orën Rolex, bizhuteri e sende të tjera. Pamjet treguan se banesa ishte vëzhguar disa orë më parë. Më 27 shkurt, Ferizi dhe Saliaj hynë me forcë në një banesë në Shenley Avenue, në Ruislip, dhe u larguan me sende me vlerë. Të nesërmen hynë në një banesë në Marsh Road, në Harrow, por nuk morën asgjë.
Pamjet filmike dokumentuan lëvizjet e tyre me autobus dhe metro. Të dhënat e kartës Oyster së Ferizit, përfshirë rimbushjen e saj në stacionin e Ruislip, ndihmuan policinë të rindërtonte itineraret. Të dy u arrestuan më 23 mars. Rreshteri i detektivëve Ross Smith, i cili drejtoi hetimin, tha se provat i lidhën të dy me vendngjarjet dhe se vjedhjet u shkaktuan viktimave frikë e shqetësim emocional. Ai shtoi se vjedhjet në banesa në Londër kishin rënë me 6% gjatë vitit të fundit.
Në një hetim tjetër për vjedhje në Hayes, Hetaj Dionis, 35 vjeç, dhe Arben Cuka, 31 vjeç, u dënuan me gjithsej pesë vjet burg më 23 prill. Vjedhjet ndodhën gjatë një periudhe tetëditore. Dionis u arrestua më 19 janar në Ealing, ku policia e gjeti në çatinë e një banese me një levë hekuri dhe sende të vjedhura. Cuka u arrestua më 4 mars.
Në një çështje të veçantë, britaniku Patrick Doherty, 24 vjeç, u dënua me tre vjet e nëntë muaj burg në qershor. Sipas burimeve, ai ishte pjesë e një grupi kriminal që vepronte në Londër dhe zonat përreth.