Dy shqiptarë u dënuan me burg në Britaninë e Madhe, pasi pranuan vepra penale që lidhen me shpërndarjen e kokainës. Mikele Bilali, 26 vjeç, dhe Ervin Hasa, 25 vjeç, u paraqitën më 2 tetor para Gjykatës së Kurorës në Stoke-on-Trent, ku u shpallën dënimet, sipas Policisë së Staffordshire.
Bilali u dënua me një vit e 10 muaj burg pasi pranoi akuzat për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen, drejtim të automjetit pa leje drejtimi dhe drejtim pa siguracion. Hasa u dënua me tre vjet burg pasi pranoi akuzat për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen dhe posedim të pasurisë kriminale.
Hetimi nisi gjatë një patrullimi në zonën Boothen të Stoke-on-Trent. Policia ndaloi një Mercedes të zi, të drejtuar nga Bilali, pasi i tërhoqi vëmendjen mënyra e drejtimit. Hasa iu afrua automjetit dhe komunikoi me Bilalin. Gjatë kontrollit të makinës, policia gjeti telefona celularë të lidhur me Bilalin, ku kishte mesazhe që dyshohet se kishin lidhje me shpërndarjen e drogës, si dhe çelësa të një banese të përdorur nga Hasa.
Hasa u kontrollua nga policia dhe iu gjetën 19 qese të vogla kokainë. Gjatë kontrollit të banesës, oficerët zbuluan rreth 10.700 paund në një çantë të markës Gucci, të fshehur brenda mobilies së televizorit. Në një kuti videolojërash u gjetën edhe 1.000 paund të tjera, ndërsa në banesë u zbuluan më shumë se 210 qese kokainë. Gjatë kontrollit në ambientet e paraburgimit, Bilalit iu gjetën 11 qese të vogla kokainë të fshehura në pantallona.
Në total, policia sekuestroi 241 qese kokainë, me vlerë të përllogaritur në treg rreth 9.500 paund, si dhe më shumë se 11.900 paund para të gatshme. Sipas policisë, të dy fillimisht nuk pranuan të jepnin deklarata gjatë marrjes në pyetje, por më vonë u akuzuan dhe pranuan veprat penale në gjykatë.
Pas shpalljes së dënimeve, kryeinspektori Steve Morrey, nga departamenti i specializuar i krimeve në Policinë e Staffordshire, tha se të dy personat ishin të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në Stoke-on-Trent. Ai deklaroi se policia do të vijojë punën për të goditur dhe ndjekur penalisht personat e përfshirë në trafikun e drogës në zonën e Staffordshire.