Sektori për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, ka finalizuar pas disa muajsh hetime operacionin e koduar “Motoristi”. Operacioni ka rezultuar me arrestimin e dy shtetasve, të cilët akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike në qytetin e Lushnjës.
Në pranga kanë rënë:
- Eduart Sharka, 31 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine duke përdorur motomjetin me të cilin shërbente për shpërndarjen e porosive ushqimore.
- Skerdilajd Gjoni, 39 vjeç, i cili gjithashtu dyshohet se shiste doza kokaine në zona të ndryshme të qytetit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e dy të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi totale prej rreth 320 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, nga të cilat 318 gramë iu gjetën 31-vjeçarit Sharka. Përveç lëndës narkotike, shërbimet policore sekuestruan:
- 1 peshore elektronike
- Municion luftarak (fishekë)
- 1 grirëse bimësh narkotike
- 6 celularë në total
Autoritetet njoftuan se puna për hetimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale vijon, ndërsa materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.