Në Dhomat e Specializuara, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të njohur si katërshja e UÇK-së, përshëndetën familjarët e tyre në galeri para hyrjes së trupit gjykues në sallë.
Me hapjen e perdes që ndan galerinë nga salla e gjyqit, të katërt shikuan në anën e majtë, buzëqeshën dhe u përshëndetën me dorë familjarët, të cilët kishin ardhur në numër të madh. Rexhep Selimi u bëri gjestin e "zemrës" me dorë afërmëve të tij. Në galeri ishte e pranishme gruaja e tij, Shqipe Selimi, si dhe familjarët e Thaçit, Veselit dhe Krasniqit.
Seanca nisi në orën 09:00 me parashtrimet e mbrojtësit të viktimave. Më pas, avokatët patën mundësi të parashtronin komentet e tyre në lidhje me deklaratat e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS), të dhëna të hënën.
Pas pushimit të drekës, u parashikuan deklarimet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Përditësime
Glauk Konjufca u paraqit në Hagë për seancën në Dhomat e Specializuara, ku gjyqi caktoi 20 minuta për deklarimin e secilit nga katër të akuzuarit.