Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftoi se gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026 ka realizuar rritje të prodhimit të energjisë elektrike me rreth 110 mijë MWh më shumë se në periudhën përkatëse të viteve paraprake.
Gjatë muajit dhjetor 2025, prodhimi arriti në 127% të nivelit të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit të mëparshëm, që përfaqëson rritje prej 27%, ose 46.539 MWh më shumë energji elektrike.
Ndërsa në janar 2026, prodhimi shënoi 132,9% të nivelit të janarit të vitit paraprak, pra rritje prej 32,9%, respektivisht 63.003 MWh më shumë.
KEK shpjegon se këto rezultate u arritën falë operimit stabil dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve prodhuese, veçanërisht përmes funksionimit të njëkohshëm të tre njësive të Termocentralit Kosova A.
Kjo rritje ka kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend, sidomos gjatë sezonit dimëror.
KEK vlerëson se rezultatet dëshmojnë punën profesionale, përkushtimin dhe angazhimin e punonjësve, stafit teknik e operativ.
Korporata rithekson përkushtimin ndaj operimit të sigurt, efikas dhe transparent, në shërbim të interesit publik dhe forcimit të sigurisë energjetike të Republikës së Kosovës.