Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se ka realizuar 97% të planit vjetor të prodhimit të energjisë elektrike për vitin 2025. Ky bilanc bazohet në Bilancin Vjetor Energjetik të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Ky rezultat është arritur pavarësisht sfidave teknike dhe ndërhyrjeve kapitale për modernizimin e njësive gjeneruese. Periudha përfshiu modernizimin e turbinave në njësinë B2, remontet e rregullta vjetore, si dhe zbatimin e projekteve kapitale në njësitë B1, B2 dhe A3. Këto punë siguruan funksionim të qëndrueshëm dhe të sigurt të sistemit energjetik kombëtar.
Analiza e të dhënave mujore tregon se në disa muaj kyç prodhimi tejkaloi planin deri në 110%. Në dhjetor 2024 realizimi ishte 76.5%, ndërsa në dhjetor 2025 KEK tejkaloi planin me 102%, falë përfundimit të remonteve dhe ndërhyrjeve modernizuese, rënies së temperaturave dhe operimit paralel të pesë njësive gjeneruese.
Periudhat me realizim më të ulët lidhen me fazat intensive të modernizimit dhe remonteve të planifikuara. Në nivel vjetor, KEK ruajti stabilitetin e sistemit dhe përmbushi objektivat strategjike.
KEK vlerëson se ky realizim reflekton përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit teknik e punonjësve, si dhe mbështetjen e strukturave menaxheriale. Ndërkohë, raportohet se KEK përballet gati çdo javë me rënie të blloqeve, që ndikojnë në reduktime energjie tek qytetarët.