Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka njoftuar hapjen e një tenderi për "operimin dhe mirëmbajtjen e asetit gjenerues termik" në Vlorë. Fondi limit i kësaj procedure është caktuar në vlerën 1.892.000.000 lekë, shumë që përkon me rreth 20 milionë euro. Institucioni, nën drejtimin e Violës Haxhiademi, synon përmes kësaj gare të sigurojë funksionimin e dy platformave lundruese, të njohura si “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, të cilat u morën me qira për të forcuar kapacitetet energjetike të vendit.
Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, dy anijet kanë pasur një kontribut të ulët në prodhimin vendas. Në vitin 2025, ato gjeneruan rreth 77 gigavat, shifër që përfaqëson më pak se 1% të prodhimit total të energjisë në vend, pavarësisht kapacitetit të tyre instalues prej 110 megavatësh.
Që nga ardhja e tyre në Triport në shtator të vitit 2022, buxheti i shtetit ka përballuar kosto të konsiderueshme financiare. Deri në mbyllje të vitit të kaluar, shpenzimet e raportuara nga KESH për marrjen me qira dhe vënien në punë të këtyre gjeneratorëve arrijnë në 62.8 milionë euro, me një kosto prodhimi të llogaritur në 151 euro për megavat. Kontrata aktuale për operim dhe mirëmbajtje vjen në vazhdën e shpenzimeve të mëparshme, duke mbajtur në funksion asetet pavarësisht vërejtjeve për eficiencën e tyre ekonomike.