Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka njoftuar se prej paradites së 16 shkurtit ka nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës.
Gjatë pasdites u konstatua rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe e Liqenit të Shkodrës. Kjo erdhi për shkak të shkarkimeve, reshjeve të fundit dhe rritjes së temperaturave.
Autoritetet paralajmërojnë mundësi për rritje të mëtejshme të niveleve, veçanërisht në territorin e Nënshkodrës.
Masat e marra nga Bashkia Shkodër
Bashkia Shkodër ka marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile. Ekipet janë në terren për monitorim të pandërprerë dhe gatishmëri të plotë.
Thirrja për banorët
Bashkia u bën thirrje banorëve:
- të shmangin lëvizjet e panevojshme;
- të tregojnë kujdes të shtuar në zonat pranë lumenjve;
- për emergjenca të kontaktojnë numrin 069 60 60 992.
Përditësime
Forcat e Armatosura dërgojnë 2 mjete me kalueshmëri të lartë dhe 10 efektivë në terren për emergjenca pranë aksit Obot - rruga kryesore.
40-50 cm ujë në tokat bujqësore pengon qarkullimin e mjeteve të vogla.
Zhvillime të tjera në rrugë:
- Reshje bore intensive pengojnë qarkullimin në aksin Bogë - Theth.
- Qafa e Thorës e bllokuar në zonën e tuneleve nga orteqet.
- Në aksin Hani i Hotit - Vermosh, qarkullim vetëm me goma dimërore dhe asistencë borëpastruese mbi 1000 m altitudë.