Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve mblidhet të mërkurën në orën 12:00 për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për leje arresti ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
SPAK do të paraqesë prova të reja të siguruar nga kontrollet e kryera së fundmi.
Në paralel, Gjykata Kushtetuese shqyrton kërkesën e kryeministrit për shpalljen antikushtetuese të vendimit të GJKKO, që pezulloi Ballukun nga detyra si ndërhyrje në punët e ekzekutivit. Anëtarët e saj u mblodhën të martën për pak minuta, por nuk morën vendim, duke pretenduar nevojën për më shumë kohë për shkak të kompleksitetit të çështjes.
Data e mbledhjes së radhës nuk është bërë ende e ditur, por vendimi pritet javën e ardhshme, pasi të enjten disa gjyqtarë kushtetues udhëtojnë jashtë vendit për vizitë zyrtare.
Gjatë seancës plenare publike, qeveria, Kuvendi dhe Presidenti kërkuan shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të GJKKO, ndërsa SPAK deklaroi se pezullimi mbetet në fuqi.
Belinda Balluku është e pandehur për shkeljen e barazisë në tendera për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Ajo është nën hetim edhe për procedura tenderuese të Unazës së Madhe dhe koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.