Këshilli i Ministrave miratoi më 6 shkurt 2026, një të enjte, projektligjin për dhënien e amnistisë penale. Dokumenti, i siguruar nga Euronews Albania, pritet të depozitohet në Kuvend për miratim përfundimtar. Amnistia mbështetet në parimet e humanizmit, rehabilitimit dhe mbrojtjes së interesit publik, me synim uljen e mbipopullimit në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe rritjen e eficiencës së sistemit të drejtësisë.
Sipas relacionit, synohet aplikimi i një politike lehtësuese penale për riintegrimin e të dënuarve në shoqëri, duke shmangur masat represive për vepra të lehta.
Kategoritë që përfitojnë
Amnistia parashikon përjashtim të plotë ose të pjesshëm nga vuajtja e dënimit për:
• Burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet, ose me mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet.
• Gratë e dënuara deri në 4 vjet, ose me mbetur deri në 4 vjet.
• Gratë ≥50 vjeç dhe burrat ≥60 vjeç në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit.
• Personat që në kohën e kryerjes së veprës penale ishin ≤18 vjeç.
Për të tjerët parashikohet ulje dënimi: 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit. Për veprat e lehta me dënim maksimal deri në 3 vjet burg, parashikohet shuarja e ndjekjes penale, procedimit ose gjykimit. Amnistia zbatohet për vendime të dhëna deri më 31 dhjetor 2025.
Rreth 380 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm, nga të cilët 4 të mitur, 5 femra dhe 7 shtetas të huaj. Ulje dënimi përfitojnë rreth 900 persona, nga të cilët 10 gra, 3 të mitur dhe 12 të huaj.
Përjashtimet
Nga amnistia përjashtohen personat që i janë shmangur drejtësisë, ata me burgim të përjetshëm dhe të gjykuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Jashtë mbeten veprat penale të rënda si:
• Krimet kundër njerëzimit, jetës, seksuale dhe kundër fëmijëve.
• Korrupsioni, krimi i organizuar, terrorizmi.
• Veprat që cenojnë zgjedhjet, drejtësinë, rendin kushtetues.
• Veprat e rënda ekonomike, mjedisore dhe kundër autoritetit të shtetit.