Projektligji i amnistisë penale, miratuar nga Këshilli i Ministrave më 6 shkurt, parashikohet të përfshihet në kalendarin parlamentar për shqyrtim në fillim të muajit prill. Burime nga Kuvendi njoftuan se diskutimi do të nisë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, i cili është përgjegjës për çuarjen përpara të këtij nismëtari nga ish-ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari. Miratimi në seancë plenare pritet në mes ose fund të prillit.
Nga amnistia përfitojnë 447 të burgosur, prej të cilëve 4 të mitur dhe 9 gra. Projekti parashikon lirim të plotë për ta, si dhe ulje dënimi për 5 gra dhe 2 të mitur të tjerë. Gjithashtu, përfitojnë ulje dënimi 853 të burgosur të tjerë. Nga Shërbimi i Provës amnistohen 5.077 të dënuar me masa alternative ndaj burgimit.
Projektligji parashikon pushimin e ndjekjes penale për 14 mijë procedime penale për vepra të lehta, duke filluar nga viti 2024. Qeveria e cilëson këtë si akt humanitar për rehabilitim dhe ri-integrim social, si dhe masë për uljen e popullimit të burgjeve.
Ish-ministri Besfort Lamallari deklaroi se "nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon ri-integrimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale, teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e Këshillit të Evropës".
Një kriter i rreptë është përjashtimi i personave të hetuar nga SPAK dhe të dënuar nga GJKKO.