Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mbylli të hënën shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Kërkesa u mbajt për dy muaj në shqyrtim dhe u trajtua në një seancë të vetme me dyer të mbyllura, pa një qëndrim të unifikuar mes palëve politike.
Partia Socialiste u shpreh kundër qëndrimit të Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit, pa e sqaruar qëndrimin e saj ndaj kërkesës së SPAK. Belinda Balluku akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur. Aktualisht, në fuqi është vetëm masa e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit. Masa e pezullimit nga detyra pret arsyetimin dhe botimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Fletoren Zyrtare.
Gjatë seancës, prokurorët e SPAK argumentuan nevojën për masën e arrestit për shkak të indicieve për prishje provash dhe intimidim dëshmitarësh. Sipas deputetit demokrat Gazmend Bardhi, prokurorët pretenduan se anëtarë të kabinetit të Ballukut dhe persona të fortë dyshohet se janë përfshirë në shantazh ose oferta për të blerë heshtjen e dëshmitarëve.
Vota e deputetëve për heqjen e imunitetit dhe aplikimin e masës së arrestit parashikohet në fillim të marsit. BIRN vlerëson se sjellja e mazhorancës ngre pikëpyetje mbi vullnetin e saj, si dhe mbi kufijtë kushtetues të rolit të Kuvendit.
Ekspertët ligjorë theksojnë se Kushtetuta i atribuon parlamentit një rol procedural të kufizuar, pa e lejuar të vlerësojë themelin e çështjes penale. Sipas tyre, debatet që zhvendosin fokusin te provat ose bazueshmëria e akuzës bien ndesh me praktikën parlamentare dhe frymën kushtetuese në lidhje me imunitetin.
Përditësime
Erida Skënderaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, deklaroi se neni 73 i Kushtetutës së Shqipërisë mbron mandatin parlamentar pa krijuar pengesë për ndjekjen penale.
Komisioni i Venecias rekomandon kundër debateve mbi provat në rastet e imunitetit parlamentar.