Komandanti i KFOR-it, gjenerali Ozkan Ulutash, në një intervistë për emisionin “Info Magazine” të Klan Kosovës, ka kërkuar mbështetjen e autoriteteve serbe për të siguruar llogaridhënie lidhur me sulmet e kryera në Kosovë gjatë vitit 2023. Ai theksoi se incidenti në Banjskë përbënte një sfidë serioze, e cila kërkoi një reagim të shpejtë dhe vendimtar nga ana e Aleancës Veriatlantike.
Sipas Ulutash, ndërhyrja e NATO-s çoi në forcimin më të ndjeshëm të kapaciteteve të misionit paqeruajtës në mbi një dekadë. Ai shtoi se gjatë historisë së tij 27-vjeçare, KFOR-i ka dëshmuar aftësinë për të zbatuar mandatin e OKB-së në mënyrë të paanshme dhe për t’u përshtatur ndaj zhvillimeve në terren. “Prioriteti ynë është të sigurojmë se prania jonë operative në terren mbetet e përshtatshme për detyrën,” u shpreh ai.
Duke iu referuar marrëdhënieve me autoritetet serbe, Ulutash konfirmoi se misioni mban komunikim të rregullt dhe transparent me Forcat e Armatosura të Serbisë. Ai njoftoi se do të udhëtojë drejt Beogradit për t’u takuar me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Mojsilloviq.
Ky takim shënon të pestën herë që komandanti i KFOR-it takohet me gjeneralin serb gjatë mandatit të tij aktual. Ulutash vlerësoi bashkëpunimin e zhvilluar me gjeneralin Mojsilloviq, duke nënvizuar rolin e tij në forcimin e transparencës, besimit të ndërsjellë dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal. Megjithatë, ai rikonfirmoi qëndrimin e zyrtarëve të NATO-s se kërkohet mbështetja e Serbisë për të siguruar llogaridhënie për sulmet e paarsyetueshme të vitit 2023.