Kim Jong-un, udhëheqës i Koresë së Veriut, ka shkarkuar zëvendëskryeministrin për inxhinierinë mekanike, Jang Sung Ho, për shkak të problemeve gjatë modernizimit të fabrikës Ryongsong në veri-lindje të vendit.
Kim Jong-un e akuzoi zyrtarin se kishte shkaktar "çarje të panevojshme", që çuan në një "humbje ekonomike jo të vogël". Në një deklaratë publike, ai përdori një krahasim figurativ: "Ta them më thjesht dhe në mënyrë figurative, Jang ishte si një dhi e lidhur për të tërhequr një karrocë me lopë. Duhet ta shikojmë këtë si një gabim të rastësishëm në praktikën tonë të emërimeve të kadrove. A mund të presim që një dhi të tërheqë një karrocë të destinuar për një lopë? Nga dita e sotme të shpall të shkarkuar, shoku zëvendëskryeministër."
Sipas agjencisë shtetërore, Kim Jong-un e kishte kritikuar Jang Sung Ho edhe vitin e kaluar në një mbledhje partie. Qortimet publike të tilla janë të rralla, por udhëheqësi verikorean i përdor për të rikthyer disiplinën ose për t’iu kaluar përgjegjësinë zyrtarëve për dështimet ekonomike.
Shkarkimi lidhet me disiplinimin e zyrtarëve para kongresit të ardhshëm të Partisë Punëtore, i pari pas pesë vitesh, i parashikuar në fund të janarit ose në shkurt sipas shërbimit inteligjent të Koresë së Jugut. Në atë kongres do të vendosen prioritetet e reja politike dhe ekonomike.
Vitet e fundit, Kim Jong-un ka përqendruar përpjekjet për të eliminuar defetizmin, pakujdesinë dhe pasivitetin në sektorët ekonomikë, për të zgjidhur problemet kronike të ekonomisë së goditur rëndë nga pandemia e COVID-19. Sipas bankës qendrore të Koresë së Jugut, ekonomia e Koresë së Veriut u rrit me 3.7 për qind në vitin 2024, por analistët paralajmërojnë se rritja e shpejtë do të jetë e vështirë për shkak të centralizimit të ekonomisë, sanksioneve ndërkombëtare dhe fokusit në programet e armatimit.