Kongresi i Nëntë i Partisë së Punëtorëve të Koresë (WPK), organi më i lartë vendimmarrës i partisë në pushtet, rizgjodhi Kim Jong-un si sekretar të përgjithshëm. Kongresi u hap të enjten në Phenian, raportoi të hënën Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeves (KCNA).
Ky kongres mbahet çdo pesë vjet me pjesëmarrjen e 5000 delegatësh. Vendimi për rizgjedhjen e Kim Jong-un u miratua të dielën sipas një komunikate të KCNA-së, që thekson se zgjedhja u bë "në përputhje me vullnetin e palëkundur dhe dëshirën unanime të të gjithë delegatëve, miliona anëtarëve të partisë, të gjithë popullit dhe personelit të shërbimit të Ushtrisë Popullore".
Sekretari i partisë Ri Il-hwan deklaroi në kongres se "vetëm Kim Jong-un mund të udhëheqë trendin e transformimit gjigant të kauzës sonë". Ai shtoi se vendi ka sfiduar sanksionet dhe është bërë një forcë "e frikshme" e njohur nga armiqtë.
Seanca e së dielës zgjodhi gjithashtu anëtarët dhe anëtarët alternatifë të Komitetit Qendror të WPK-së. Midis tyre janë Kim Jong-un, Pak Thae-song, Jo Yong-won dhe Ri Il-hwan. Kongresi përjashtoi Choe Ryong-hae, kryetarin 76-vjeçar të parlamentit të Koresë së Veriut dhe ish-udhëheqës ushtarak të lartë, si dhe zyrtarë të tjerë, çka sinjalizon një ndryshim brezash në lidership.
Gjithashtu u miratuan rregullat e rishikuara të partisë, pa u publikuar detaje të veçanta. Në fund të kongresit pritet miratimi i një vendimi që përcakton drejtime të reja politike për pesë vitet e ardhshme, duke përfshirë ekonominë, mbrojtjen dhe diplomacinë.