Klevis Balliu, deputet i Partisë Demokratike, theksoi se kanë të dhëna se policia infiltron individë për të provokuar gjatë protestës kombëtare të opozitës më 28 shkurt 2026. Në një prononcim për News24, ai deklaroi se në selinë e Partisë Socialiste janë mbledhur dhe kyçur hajdutët, ndërsa qytetarët kanë dalë në shesh.
Balliu u shpreh se policia nuk duhet të merret me protestuesit, por të arrestojë hajdutët e qeverisë. "Fiks aty ku ka hajdutë blindohet. Hajdutë blindohen e kyçen. Njerëzit e lirë dalin në shesh. Ajo është selia e krimit e hajdutëve, që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar dhe krimin për AKSHI-në", tha ai.
Ai bëri thirrje drejtpërdrejt: "Shkoni e merrni hajdutët që të shpëtojë Shqipëria. Nuk keni punë me protestuesit". Balliu pretendoi se vendi nuk ka polici, por Ilir Prodën, një narko-komisar në krye. Ai shpjegoi mungesën e fjalimeve: "Nuk ka më kuptim të flasim e të diskutojmë kur provat janë aty".
Sa i përket infiltrimit, Balliu tha: "Ne jemi në një qëndresë vazhdimësie, përballjeje me regjimin. Policia po infiltron individë për të provokuar. Njerëz të policisë i fusin me kapuça". Deklaratat u dhanë pak para nisjes së protestës.