Kreu i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Ilir Rusi, deklaroi se siguria në gjykata është çështje kombëtare dhe jo vetëm e sistemit të drejtësisë. Ai e bëri këtë gjatë një seancë dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Rusi theksoi se KLGJ ka kërkuar prej kohësh shtimin e forcave të policisë në mjediset e gjykatave, pasi ky institucion nuk ka mundësi ta sigurojë vetë rendin dhe sigurinë. Ai lidhi nisjen e këtij procesi me ngjarjen tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, duke thënë se mungesa e forcave policore ndikoi në këtë rast dhe se një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet.
"KLGJ nuk mund ta bëjë vetë për shkak të infrastrukturës dhe financimeve përkatëse. Strukturat që kanë për detyrim të ruajnë rendin dhe sigurinë në vend duhet ta ruajnë edhe në sistemin e gjykatave", u shpreh Rusi. Ai kërkoi forca policore të dedikuara ose punonjës të trajnuar, si dhe infrastrukturë të përshtatshme.
Rusi përmendi modelet ndërkombëtare të Gjermanisë, Austrisë, Italisë dhe Francës, ku siguria në gjykata mbështetet nga forca policore të dedikuata. KLGJ ka ngritur grupe pune për verifikimin e sigurisë në gjykata dhe identifikimin e nevojave për ndryshime në infrastrukturë, të cilat tejkalojnë mundësitë e institucionit.