Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin "Kjo javë" të News 24, deklaroi se SPAK ka dyshime të arsyeshme për prova të reja penale ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Këto prova mund të gjenden në celularët e sekuestruar gjatë kontrolleve të kryera në dhjetor 2025 dhe janar 2026 në banesën e saj, të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, si dhe të mbi 15 biznesmenëve.
GJKKO ka dhënë leje më 19 mars për këqyrjen e celularëve të zyrtarëve, njerëzve të besuar të Ballukut dhe grupit të biznesmenëve. Kërkesa e SPAK-ut bazohet në dyshimet se këta të fundit kanë biseduar me njëri-tjetrin dhe me zyrtarë për të paracaktuar tendera. Kontrollet kanë qenë të gjera, duke përfshirë madje librat në biblioteka.
Sipas Lalës, janë sekuestruar celularë dhe laptopë në shtëpinë e biznesmenit Ilir Shtufi, ku kontrolli zgjati 12 orë. Kontrolle të ngjashme u kryen të Gentian Gjili, Erald Elezi dhe sekretarja juridike e Ballukut. GJKKO e ka kufizuar hetimin në rastin konkret, por ka pranuar në tërësi kërkesën e SPAK-ut.
Nëse nga ekspertimi dalin elementë penalë, do të hapen çështje të reja penale ndaj Ballukut dhe të tjerëve. Lala theksoi se kur ekzistojnë dyshime për krim, gjithmonë lihen gjurma, pavarësisht kujdesit. Hetimi vazhdon me pyetjet e personave në dijeni.