Një kolonel i Forcave Ajrore greke u arrestua pak ditë më parë për akuza spiunazhi. Ai përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm për transmetimin e të dhënave sensitive të NATO-s drejt Kinës. Oficeri kishte përvojë në sistemet elektronike sekrete dhe shërbente si vlerësues i rregullt i NATO-s.
Si u nis hetimi
Në tetor, CIA dërgoi një sinjal te Shërbimi Helenik i Sigurisë (EYP), sipas të cilit një oficer ushtarak grek kishte rrjedhur informacione të klasifikuara të NATO-s drejt Kinës. EYP njoftoi menjëherë Degën e 5-të të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare Helene, pra kundërzbulimin.
Hetimi u zhvillua shpejt. Autoritetet identifikuan dyshuarin nga provat, pasi vetëm ky kolonel, komandant i një njësie me radarë dhe sisteme elektronike, kishte qasje në ato të dhëna. Pseudonimi i tij ishte "Gaforrja".
Provat e zbuluara
Gjatë pyetjes nga dy drejtues të EYP-së, koloneli ra në kontradikta dhe pranoi veprimtarinë. Hetuesit gjetën dy telefona celularë, njëri sekret të dhënë nga kinezët, nga ku dërgohej sinjal i koduar drejt Kinës.
Ekspertët vlerësojnë se ai fotografonte dokumente konfidenciale dhe i konvertonte në kode QR me një program të veçantë për t'i dërguar pa u vënë re.