Autoritetet kolumbiane kanë arrestuar shtetasin kosovar Arian Lluka në Aeroportin Ndërkombëtar El Dorado. Arrestimi u krye të martën në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të INTERPOL-it, Notifikimit të Kuq.
Ministri i Mbrojtjes i Kolumbisë, Pedro Arnulfo Sanchez, njoftoi se Lluka kërkohej nga autoritetet e Kosovës për veprat penale vrasje e rëndë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Sipas burimeve, ai dyshohet për vrasjen e Fidan Shabit në vitin 2012 në Pejë, ku konsiderohet i dënuar për një vrasje të rëndë.
Hetimet kolumbiane zbuluan se gjatë periudhës 2023-2026, Lluka kishte lëvizur nëpër vende të ndryshme duke përdorur dokumente të rreme ose legjitime nën një identitet alternativ serb, në përpjekje për t’i shmangur kontrollet ndërkombëtare dhe drejtësinë.
Lluka cilësohet si objektiv me vlerë të lartë për rajonin e Ballkanit dhe misionin paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ministri Sanchez theksoi se ky arrestim dëshmon kapacitetet efektive të Kolumbisë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe kontroll të migracionit kundër kërcënimeve globale. Ai falënderoi policinë kolumbiane dhe autoritetet e përfshira për profesionalizmin dhe koordinimin.
Ministri publikoi pamje nga operacioni në llogarinë e tij në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e këtij rezultati në luftën kundër krimit ndërkombëtar.