Kombëtarja shqiptare e futbollit për vajza po përgatitet për një moment historik, pasi për herë të parë do të marrë pjesë në fazën play-off të Kampionatit Botëror. Në këtë raund, skuadra kuqezi do të përballet me përfaqësuesen e Uellsit, ku fituesi i këtij çifti do të ketë mundësinë të vijojë garën për kualifikim, duke u përballur në finalen e play-off-it me fituesin e çiftit Rumani-Norvegji.
Trajneri Armir Grima ka bërë të ditur listën me 24 futbolliste që do të grumbullohen në Shkodër, duke nisur nga dita e diel. Në listë bie në sy rikthimi i gjashtë lojtareve: Sara Maliqi, Endrina Elezaj, Arvina Nadiar Islami, Klaudia Borci, Florentina Kuqi dhe Qëndresa Krasniqi. Për arsye dëmtimi, në këtë grumbullim mungon mbrojtësja Arbenita Curraj.
Lista e plotë e futbollisteve të grumbulluara:
- Portiere: Antigoni Hyska, Rajmonda Spahiu, Klesjana Spaho
- Mbrojtëse: Rexhina Maxhalaku, Sara Maliqi, Alma Hilaj, Endrina Elezaj, Arbiona Bajraktari, Klea Hamonikaj, Xhesika Ndoj, Leonora Dedgjonaj
- Mesfushore: Arvina Nadiar Islami, Ezmiralda Franja, Megi Doçi, Ilarja Zarka, Qëndresa Krasniqi, Mikaela Metalla, Mesuare Begallo, Vanesa Levenaj, Gresa Berisha
- Sulmuese: Fortesa Berisha, Valentina Troka, Klaudia Borci, Florentina Kuqi
Detajet e ndeshjeve
Ndeshjet janë planifikuar si më poshtë:
- Ndeshja e parë: 9 tetor, ora 18:00, në stadiumin Loro Boriçi.
- Ndeshja e kthimit: 13 tetor, ora 20:15 (CET).
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se hyrja në stadiumin Loro Boriçi do të jetë falas për ndeshjen e parë. Të dyja takimet do të transmetohen drejtpërdrejt në kanalin FSHF Tv.