Komisioni Europian reagoi në lidhje me vendimin e shumicës parlamentare për të rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku.
Në përgjigjen zyrtare për Report TV, një zëdhënës i Komisionit Europian theksoi se institucioni nuk komenton raste në zhvillim. "Ne nuk komentojmë raste në zhvillim. I takon Parlamentit të Shqipërisë të trajtojë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij", thuhet në deklaratë.
Reagimi vjen pas qëndrimit të Partisë Socialiste, e cila përmes një raporti mbajti qëndrim kundër kërkesës së SPAK-ut. Belinda Balluku është nën akuzë për parregullsi në dhënien e tenderave publikë dhe korrupsion.
Vendimi përfundimtar pritet të merret ditën e enjte, më 12 mars 2026, në Kuvend. Deputetët do të votojnë pro ose kundër heqjes së imunitetit. Kjo votë është vendimtare për Belinda Balluku, ish-zv.kryeministre, pasi mund t’i hapë rrugë SPAK-ut për arrestimin ose ta lërë atë të hetohet në gjendje të lirë.
Mazhoranca pretendon se nuk plotësohen kushtet për masën e sigurisë "arrest me burg", për shkak se Balluku nuk mban më funksione ekzekutive. Nga ana tjetër, SPAK pretendon se ajo, përmes personash me profil kriminal, ka kërcënuar dëshmitarët dhe ka tentuar të prishë provat, çka justifikon nevojën për arrest me burg.