Komisioni Evropian ka njoftuar të enjten nisjen e një hetimi formal ndaj platformës Snapchat, për të vlerësuar përputhshmërinë e saj me Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA). Hetimi fokusohet te mbrojtja e fëmijëve në internet, pas dyshimeve se sistemi i verifikimit të moshës së kompanisë është i pamjaftueshëm.
Sipas Komisionit, Snapchat kërkon që përdoruesit të jenë të paktën 13 vjeç, por nuk kryen kontrolle të sakta të moshës dhe nuk ofron mbrojtje të duhur për të miturit. Platforma dyshohet se i ekspozon fëmijët ndaj përmbajtjeve të dëmshme, shfrytëzimit seksual, rekrutimit për aktivitete kriminale dhe shitjes së produkteve të paligjshme. Cilësimet standarde të llogarive nuk sigurojnë privatësi dhe mbrojtje të mjaftueshme.
Zëvendëspresidentja ekzekutive për sovranitetin, sigurinë dhe demokracinë në teknologji, Henna Virkkunen, deklaroi se Snapchat ka anashkaluar standardet e larta të sigurisë të kërkuara nga DSA. Ajo theksoi se hetimi do të shqyrtojë nga afër praktikat e platformës, bazuar në vlerësimet e rrezikut nga viti 2023 deri në 2025, si dhe informacionin shtesë të marrë në tetor.
Platformat e mëdha digjitale që operojnë në BE duhet të zbatojnë rregulloret e bllokut. Në rast shkeljesh, Komisioni mund të vendosë gjoba të larta. Për shkelje të përsëritura, platforma mund të ndalet përfundimisht nga operimi në Bashkimin Evropian.
Ky hetim shton presionin mbi kompanitë e mediave sociale për mirëqenien e të rinjve. Të mërkurën, një juri në Kaliforni urdhëroi Metën dhe YouTube-in të paguajnë miliona dollarë dëmshpërblim një gruaje 20-vjeçare, për projektimin e platformave pa u shqetësuar për sigurinë e përdoruesve të rinj.